Aprovohet strategjia për gratë ndërmarrëse në Komunën e Rahovecit

0
698

Në nëntor të vitit 2016, komuna e Rahovecit është bërë komuna e dytë në Kosovë e cila ka miratuar në kuvend “Strategjinë për Gratë Ndërmarrëse në Komunën e Rahovecit për periudhën 2017-2022”.

Ky është një hap i madh drejt realizimit të obligimeve ligjore që ka komuna e Rahovecit kundrejt grave në përgjithësi e atyre të cilat janë ndërmarrëse në veçanti.

Përmes projektit “Të Ndryshojmë Kosovën duke Fuqizuar Gruan”, qëllimi kryesor është: Fuqizimi socio-ekonomik i grave në tri komuna: Kamenicë, Drenas, dhe Rahovec. Njëra ndër objektivat kryesore të këtij Projekti ka qenë edhe Krijimi i strategjisë komunale (për secilën komunë) për forcimin e pozitës së gruas në qeverisje dhe biznes dhe monitorimi i zbatimit të kësaj strategjie në praktikë;

Me këtë projekt, KCBS dhe Komuna e Rahovecit përveç krijimit të strategjisë, kanë bërë edhe vetëdijesimin e grave në biznes për rëndësinë dhe kontributin e tyre në zhvillimin e biznesit dhe komunitetit; kanë krijuar rrjetin joformal avokues të grave në biznes për të avokuar për çështjet me të cilat ballafaqohen gratë në biznes dhe do të monitorojnë zbatimin e kësaj strategjie në praktikë.

KCBS dhe Komuna e Rahovecit zotohen se në të ardhmen, përveç monitorimit të zbatimit të kësaj strategjie, do të bëjnë përpjekje maksimale që të kontribuojnë në zbatimin e saj përmes fondeve të ndryshme nga donatorët si dhe nga vetë komuna.

Komuna e Rahoveci falënderon KCBS-në për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë tërë procesit.

Qendra e Kosovës për Mbështetje të Bizneseve ose e njohur si Kosovo Center for Business Support (KCBS) është Organizatë Joqeveritare e cila është duke implementuar projektin “Të Ndryshojmë Kosovën duke Fuqizuar Gruan”, projekt ky i financuar nga USAID përmes Advocacy Training and Resource Center (ATRC), e cila është duke implementuar projektin “PROGRAMI ANGAZHIMI PËR BARAZI (E4E)”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU