Bajraj pranon çmimin për veprën më të mirë të përkthyer

0
875

Ministria e Kulturës i ka ndarë sot çmimet e laureatëve të Çmimit Letrar Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, dhe çmimet vjetore për letërsi për vitin 2015.

Në prag të tetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në një ceremoni zyrtare, të organizuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në të cilën morën pjesë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Kulturës Kujtim Shala, juria profesionale, si dhe laureatët e sivjetshëm, u dhanë çmimet vjetore për letërsi, të cilat i ndan për çdo vjet MKRS-ja.

Kryeministri Isa Mustafa e vlerësoi lart këtë ngjarje dhe u shpreh se libri dhe kultura, do ta kenë përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës.

Laureat i sivjetshëm i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore, në baze të vlerësimeve të jurisë, është shkrimtari, Arif Demolli, ndërsa çmimin ia dorëzoi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, transmeton RahovecPress.

Ndërkaq çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, e ka marrë shkrimtari Rexhep Muretez Shala, për veprën “Anonim Profan Wor(l)d.”

Çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” e ka fituar Ervina Halili, për veprën poetike “Amuletë.”

Çmimin për veprën më të mirë letrare për fëmijë dhe të rinj, “Vehbi Kikaj”, post mbretem e ka marrë Abdullah Thaqi, për veprën “Kalaja e fjalës.”

Çmimin për veprën më të mirë letrare në kritikë letrare eseistik,”Ibrahim Rugova” e ka fituar Xhavit Beqiri, për librin “Lahuta…e Fishtës”.

Çmimin për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe e ka fituar Fadil Bajra, me përkthimin e veprës së Dan Fatos, me librin “Heshtja e poetit është një akt terrorist.”

Çmimet vjetore për letërsi, i ka ndarë juria profesionale, në përbërje të Anton Berishajt, Musa Ramadanit, Nerimane Kamberit, Xhevat Sylës dhe AgronY. Gashit.

Këto çmime ndahen në bazë të Rregullores për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi dhe kanë vlerë financiare. Çmimin për vepër jetësore, merr 5 mijë euro, ndërkaq çmimet tjera nga 2500 euro.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU