Bredhi i Rahovecit dhe Aparatçikët e Pushtetit

0
1511

Shkruan: Esheref Haxhiu

Po që se qytetarët do të ishin të vëmendshëm ndaj projekteve milionëshe të qeverisë, lokale dhe qendrore, aq sa ishin të vëmendshëm ndaj bredhit të shëmtuar në qendër të Rahovecit, atëherë llogaridhënia nga ana e pushtetit do të ishte shumë më e madhe se sa abuzimi i tyre me paranë publike.

Mirëpo, fatkeqësisht, kjo e dyta po e predominon të parën, jo edhe aq për shkak të fajit të pushtetarëve, por më shumë për shkak të indiferencës së vet qytetarëve. Pra, përpara amoralitetit individual dhe grupor në vetvete të pushtetarëve, heshtja dhe indiferenca politike e qytetarëve janë shkaktarët më të mëdhenj të korrupsionit, jo vetëm në Rahovec, por në tërë Kosovën.

Përndryshe, po që se qytetarët do të ngrinin zërin ndaj çdo parregullsie, atëherë pushteti, ashtu siç e korrigjoi gabimin me bredhin, do t’i korrigjonte edhe gabimet e tjera. Por kur qytetarët heshtin, pushteti vazhdon të abuzojë. Megjithatë, më e keqe se sa vet heshtja duket të jetë zëri i disa individëve dhe grupeve të caktuara që përpiqen ta mbrojnë pushtetin edhe atëherë kur pushteti qartazi e ka gabim.

Zëri i këtyre aparatçikëve vullnetarë të pushtetit tenton që mbys edhe at pak zë të të pakënaqurve.

Pra edhe atëherë kur disa qytetarë me vetëdije më të zgjuar, me përgatitje më të lartë intelektuale e morale, e mbi të gjitha me guxim më të lartë politik, ngrenë zërin kundër abuzimeve të pushtetit, disa aparatçikë në anën tjetër dalin dhe brohorasin kundër këtij zëri të shëndosh qytetarë.

Kështu ndodhi edhe me të ashtuquajturin bredh në qendër të Rahovecit. Përderisa disa qytetarë ngrenë zërin kundër atij bredhi, për shkak se, jo vetëm që ai dukej i shëmtuar e qesharak, por nuk i përgjigjej aspak vlerës së parasë që komuna kishte ndarë për atë bredh, disa individë dhe grupe të tjera tentonin që të protestonin kundër po këtij zëri, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht.

Pra ata jo vetëm që nuk e ngrenë zërin kundër të këqijave në institucione dhe shoqëri, por nuk u mjafton as heshtja karshi këtyre të këqijave. Domosdoshmërish e ndjejnë nevojën që të sabotojnë edhe at pak zë kundër këtyre të këqijave. Në këtë mënyrë ata jo vetëm që e pranojnë të keqën, por edhe shndërrohen në promovues të saj. Dhe nuk është hera e parë që e bëjnë këtë.

Një njëri i shëndoshë mbase do të pyeste se përse e bëjnë një gjë të tillë. Përse me domosdoshmëri e mbrojnë të keqën? Janë këta njerëz të këqij apo janë të manipuluar nga pushteti?

Personalisht mendoj se as e para dhe as e dyta nuk janë arsyet se përse ata veprojnë në këtë mënyrë. Pra nuk mendoj se ata janë njerëz të këqij; absolutisht jo. Por as nuk mendoj që pushteti kujdeset aq shumë për manipulimin e tyre.

Fundi i fundit nuk ka nevojë, për shkak se ata e kryejnë një detyrë të tillë me vet-dëshirë, pa u kërkuar askush. Këtë e bëjnë për shkak se në një moment të caktuar të jetës së tyre, për arsye nga më të ndryshmet, ata kanë vendosur që të rreshtohen politikisht dhe të mbështesin një grupim të caktuar politik. Këtë e kanë bërë qoftë për shkak të ndonjë interesi të caktuar, qoftë për shkak se njëmend kanë besuar se ajo është alternativa më e mirë.

Ndërkaq më vonë, përveç mbështetjes, ata kanë filluar edhe ta identifikojnë vetën me atë grupim politik dhe çdo sukses apo dështim të atij grupimi e përjetojnë si sukses apo dështim të tyre personal. Me pak fjalë identiteti i tyre personal është tjetërsuar në identitet grupor apo partiak.

Pra, para se gjithash mendoj se njerëz të tillë janë viktimë të botëkuptimit të vet, dhe mbi të gjitha vuajnë nga mungesa e kurajës për të tejkaluar vetveten. Dashuria e madhe për subjektin me të cilin e identifikojnë vetën, rrjedhimisht dashuria e madhe për vetën, ua vështirëson atyre të jenë kritik ndaj partisë, respektivisht ndaj vetës. Por një gjë e tillë është e dëmshme për vetë këta njerëz dhe mbi të gjitha është e rrezikshme për vet demokracinë.

Andaj, sa më parë që të vetëdijesohemi, aq më mirë është për ne. Ne mund të kemi bindje të ndryshme dhe t’u përkasim grupimeve të ndryshme, por nuk kemi nevojë që në çdo moment dhe me çdo kusht të mbështesim atë grup. Jo edhe atëherë kur qartazi është gabim.

Jo, sepse kështu shndërrohemi në virus të rrezikshëm për demokracinë, e ardhmja e së cilës përcakton fatin e të gjithë neve dhe secilit prej nesh.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU