Latifi: Do të jem aty për Rahovecin 24/7

1847

Ish-kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi po synon që edhe një herë të ulet në karrigen e të parit të komunës. Ai beson që këtë do ta arrijë pa balotazh për shkak të punës që janë duke bërë në terren partia e kryeministrit Ramush Haradinaj. Latifi në një intervistë me Gazetën Metro shpalos programin qeverisës dhe premtimet lidhur me përmirësimin e gjendjes së bujqësisë si dhe zgjidhjen e problemit me palestrën sportive.

Latifi në këtë intervistë flet edhe për kundërkandidatët e tij, duke bërë njëherësh edhe një premtim shumë të madh. Ai thotë se do të jetë në dispozicion të qytetarëve të komunës së Rahovecit 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, shkruan Gazeta Metro.

Më poshtë mund ta gjeni të plotë intervistën me kandidatin për kryetar të Rahovecit nga AAK-ja, Smajl Latifi:

Përse vendosët që të kandidoni sërish për kryetar të Rahovecit?

Kërkesa e qytetarëve dhe strukturave të partisë, situata në teren dhe rezultatet e fundit të zgjedhjeve nacionale në Rahovec, kanë bërë që unë të fitoj edhe njëherë besimin e strukturave, si kandidat për udhëheqje të komunës së Rahovecit edhe për një mandat.

Si e shihni garën për komunën e Rahovecit, kur dihet se atje gjithmonë ka qenë e ngushtë mes partive?

Gara në Rahovec gjithmonë është e ngushtë dhe interesante. Mjafton fakti që në komunën tonë balotazhi është pothuajse i sigurt, e pastaj në balotazh fituesi është i paparashikueshëm. Pavarësisht edhe koalicioneve për balotazh mes partive të mëdha, diferenca ka qenë shumë e ngushtë historikisht. Më duhet të shtoj këtu edhe mesazhin që votuesi në Kosovë po e jep këto tre palë zgjedhjet e fundit. Votuesi është i lodhur me fjalë boshe e premtime rutinore dhe kërkon plane konkrete. Besoj se pikërisht ky do të jetë përcaktuesi i fituesit kësaj here.

Ne po punojmë shumë që mos të ketë nevojë fare për balotazh.

A jeni përgatitur për fushatë? Si po ecin përgatitjet deri tani?

Ne si AAK dhe unë personalisht tash e katër vjet kemi punuar në atë drejtim, që të jemi gati për zgjedhjet lokale dhe të vijmë tek qytetarët me një platformë konkrete qeverisëse lokale. Ne e kemi platformën dhe për më tepër, do të kemi një përkrahje të fortë në qendër, me zgjedhjen e Ramush Haradinaj si kryeministër i vendit.

Si e vlerësoni konkurrencën, saktësisht kryetarin aktual, por edhe kandidatët e partive tjera?

Kandidatët i njoh të gjithë, dikë më shumë dikë më pak, me ndonjë prej tyre kam qenë dhe në garë të kaluarën, e me të tjerët nuk më ka rastisur që të kem punë. Vlerësoj se nuk është aspak e rëndësishme se çfarë mendoj unë për kundërkandidatët e mi, por se si na pret të gjithë neve qytetari. Shumë e rëndësishme për mua është që qytetari të jetë i kënaqur, jo vetëm me kandidaturën time, por edhe të kolegëve të mi nga partitë e tjera. Kjo do ta bënte garën më të shëndoshë dhe interesante në çdo aspekt.

Çfarë i ofron qytetarëve platforma juaj qeverisëse?

Qeverisja e ardhshme e Rahovecit, e udhëhequr nga unë, fillimisht do ia kthejë qytetarit komunën. Në këto katër vjetët e fundit, gjëja kryesore që ka munguar, mes tjerash, ka qenë komunikimi i institucioneve me qytetarin dhe qasja e lehtë e tyre në institucione. Kryetari i ardhshëm i Rahovecit do të jetë gjithmonë aty për qytetarët, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Këtë e konsideroj jetike, si diçka që duhet patjetër për të vazhduar pastaj me projekte konkrete. Kur jemi te projektet, do të ofrojmë edhe projekte konkrete, si disa çerdhe në Rahovec e disa fshatra, krijim të zonave ekonomike, mbështetje të punësimit të rinisë, më shumë hapësira të gjelbëruara, zhvillim të bujqësisë me plane dhe ide konkrete etj. Shkurt, besoj fuqishëm se ne i ofrojmë qytetarëve atë që i duhet dhe i mungon komunës.

Pasi e përmendët bujqësinë, Rahoveci njihet si një rajon bujqësor. A mund të tregoni konkretisht se çfarë do të ofroni për bujqësinë dhe bujqit e Rahovecit?

Sigurisht se bujqësia është sektori primar i zhvillimit të komunës së Rahovecit dhe zë vend të rëndësishëm në platformën qeverisëse të AAK-së. Mbështetur në kushtet klimatike e tokësore, mbështetur në traditën e pasur të qytetarëve tanë, jemi të bindur se kemi bazën e fuqishme të besimit për rritjen e mirëqenies dhe përmirësimin e kushteve ekonomike të qytetarëve të komunës së Rahovecit. Një plan konkret është mbrojtja dhe ri-kultivimi i tokave bujqësore dhe zgjerimi i sistemit të ujitjes, me kompaninë “Radoniqi” dhe gjetja e burimeve të tjera alternative për ujitje me sistemin pikë-pikë. Mos të harrojmë se rishtazi, kur vreshtarët dhe bodrumet ishin të harruar nga institucionet, me insistimin tim dhe mbështetjen e kryeministrit Haradinaj, e hapëm bodrumin “StoneCastle” për pranimin e rrushit sivjet, ku ishte rrezik që të mos pranohej fare. Pas kësaj pasoi edhe hapja e bodrumeve tjera. Siç po vërehet, me vetëm pak angazhim dhe vullnet, mund të kryhen punë të mëdha, e ky vullnet i ka munguar qeverisjes aktuale.

Një nga temat më problematike është edhe palestra sportive, e nisur në vitin 2008 dhe e papërfunduar akoma. Si do ta zgjidhni ju këtë problem?

Me shqetësim i kam përcjellë zhvillimet rreth ndërtimit të palestrës. Vlerësoj se nuk është e lehtë që të arrihet deri në përfundim të saj, për shkak të komplikimeve të shumta që janë bërë kur po bëhen pothuajse 10 vjet, por përsëri, qeverisja aktuale ka treguar mungesë vullneti dhe pune në tentim të zgjidhjes së kësaj palestre. Do të jetë temë që do e trajtoj me prioritet të lartë dhe do të përdori të gjitha mekanizmat që të bëj presion në qeverinë e re që kjo palestër të përfundojë sa më shpejt. Është shqetësuese mungesa e një ambienti sportiv në komunën tonë, kur dihet tradita që kemi në sporte të shumta. Këtë e dëshmojnë sukseset e fundit të KB Rahovecit, fakti se dikur ishin dy klube kompetitive në hendboll etj.

Mesazhi juaj për qytetarët e Rahovecit?

Kërkoni llogari nga secili prej nesh që ju kërkojmë votën. Na qëndroni pranë dhe për çdo premtim që do të japim, na bëni pyetje deri sa të siguroheni se ai premtim është i realizueshëm. Votoni atë program që ju vlerësoni se do të jetë më i miri për zhvillimin e komunitetit ku jetoni dhe mos lejoni që vota juaj të manipulohet apo ndryshohet jashtë vullnetit tuaj të lirë! /gazetametro.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here