Latifi e Vehapi hapin fushatën, shikoni çfarë shkruajnë

1524

Kandidatët për kryetarë komunash që janë në balotazh, Smajl Latifi e Idriz Vehapi, kanë hapur fushatën zgjedhore.

“Të dashur qytetarë të komunës së Rahovecit,

Nga sot, për pesë ditë me radhë do të jemi në fushatë zgjedhore. Do të përpiqem gjatë këtyre ditëve të takoj secilin nga Ju dhe të flasim për idetë, planet dhe qëllimin tonë të vetëm: Rahovecin e zhvilluar!

Ju tashmë e dini për punën që kemi bërë deri më tani. Ju e dini se do të vazhdoj të jem bashkëpunëtori Juaj më i mirë. Prandaj, ju ftoj të vazhdojmë bashkë!

Jam i bindur se kësaj here do t’i përgjigjeni më shumë ftesës për të votuar dhe do të shenjoni numrin 94, jo sepse aty është emri im, por sepse aty është mundësia më e mirë për të punuar bashkë për komunën e Rahovecit!

Ju faleminderit!”, ka shkruar Vehapi në Facebook.

Ndërsa, Latifi ka shkruar:

“E di se ndoshta ndonjëherë, jeni të lodhur nga fushata. E di se shpesh, ndjeheni sikur politikanët po ju shfrytëzojnë vetëm për fushatë.

Por, të dashur bashkëqytetarë të mi, në këtë aspekt, unë jam shumë i qetë para jush. Kjo sepse, që nga fillimi i veprimtarisë sime politike, komunikimin me qytetarin e kam konsideruar thelbësor. Ju kam takuar në fillimet e mia, ju kam takuar si kryetar, jemi takuar çdo ditë në këto katër vitet e fundit si opozitë, e do t’ju takoj edhe në vitet e ardhshme.

I kemi edhe 5 ditë për të komunikuar dhe për të bashkëbiseduar deri në zgjedhjet e ardhshme, andaj unë do t’i shfrytëzojë në maksimum për të shpalosur në detaje platformën tonë për një Rahovec të zhvilluar e për një komunë që do të jetë aty për qytetarin.

Bashkë, drejt fitores!”.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, Smajl Latifi është renditur i pari me 7,766 vota apo 33,50% të votave, kurse Idriz Vehapi i dyti me 6,837 vota apo 29,50% të votave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here