Lëvizja Vetëvendosje! ose subjekti i shpërfytyruar opozitar

0
1223

qemajl-krasniqi-2

Shkruan: Qemajl Krasniqi

(Pjesa e gjashtë)

Ndonëse LVV nuk ka shumë kohë që është në përbërje të Kuvendit të Komunës, qytetarët kanë pritur reagim më të vendosur të këtij subjekti, që vlerësohet opozita më e zëshme në nivel vendi. Mirëpo, opozitarizmi në Rahovec i LVV-së është i shpërfytyruar nga ajo që jemi mësuar ta shohim diku tjetër në vend. Eksponentë të këtij subjekti politik kanë hyrë në vallen që më së miri e luan PDK, – përfitimi nga të qenit në politikë. Heshtja e këshilltarëve të LVV-së është e pazakontë karshi pakënaqësisë në rritje të qytetarëve për mënyrën e qeverisjes në Rahovec. Duke u marrë me probleme periferike dhe duke u futur në telashe të pazakonta, drejtuesit e LVV-së nuk kanë dëshmuar lojalitet ndaj qytetarëve, sepse këtë lojalitet e kanë rezervuar për qeveritarët. Mbi këtë bazë mund të thuhet se PDK dhe Idriz Vehapi mund ta kanë “blerë” heshtjen e LVV-së.
Nisur nga fakti se LVV njihet për opozitarizëm të vendosur, drejtuesit e Pikës në Rahovec nuk kanë qenë në unison me krerët e subjektit në qendër, madje nuk ju ngjajnë aspak atyre në kundërshtim. Heshtja e LVV-së krijon përshtypjen sikur në Rahovec pushteti lokal po drejtohet mirë dhe se nuk ka bazë për kundërshtim opozitar. Ndonëse nuk ka qenë gjithmonë kështu, ngase në kohën e qeverisjes së AAK-së (2011-2013) drejtuesit e LVV-së kanë ditur të ngritin zërin dhe të kundërshtojnë edhe atëherë kur nuk ka pasur shumë arsye.

Partia e Drejtësisë si patericë e PDK-së dhe LDK-së

Partia e Drejtësisë ka kohë që është në skenën politike lokale në Rahovec. Ka vite që ky subjekt politik është bërë patericë e pushtetit lokal, respektivisht është subjekti që përfiton më së shumti nga të qenit në Kuvend me vetëm një këshilltar. Ndikimi i këtij subjekti është periferik, por duke qenë pjesë e qeverisë lokale në disa mandate (PDK dhe LDK), mban përgjegjësi për gjendjen aktuale në komunë. Po ashtu, të qenit pjesë e koalicionit në nivel qendror i ka favorizuar në masë të madhe drejtuesit lokal, të cilët kanë pasur vështirësi serioze në ndarjen e atij pak pushteti që u është ndarë. Gjithsesi, ndikimi i tyre ka qenë periferik dhe madje as nuk kanë tentuar të imponohen në qeverisje, sepse mbijetesa në skenën politike lokale ka qenë motivi kryesor i PD-së. Drejtoritë që eksponentë të kësaj partie kanë udhëhequr nuk kanë qenë pa peshë, por ndikimi në përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës së Rahovecit ka qenë i vogël. Vlen të ceket se kjo parti e ka ruajtur një numër konstant të votuesve dhe të qenit në skenë ka qenë i mjaftueshëm. Të ndodhur në mesin e subjekteve me ndikim dhe me mjete të konsiderueshme financiare e potencial njerëzor, PD është përpjekur të mbijetojë pa koalicion parazgjedhor. Njerëzit që e mbajnë këtë parti janë nga familje tradicionale, të njohur për devotshmëri ndaj besimit islam. Duke qenë pjesë e këtij mozaiku politik PD ka zgjedhur rrugën e mesme, atë të evitimit të përplasjeve të forta dhe rivalitetit të ashpër politik në Rahovec. Gjithsesi, kjo qasje nuk e bën më pak përgjegjës këtë subjekt politik ndaj ngecjeve dhe zhvillimit të pamjaftueshëm ekonomik.

Aleanca për Kosovën e Re – subjekti që po lufton për mbijetesë

AKR e identifikuar me themeluesin e saj Behxhet Pacolli, që fillimisht mblodhi rreth programit të tij një numër të konsiderueshëm mbështetësish, me kalimin e kohës filloi të shkërmoqet. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës të vitit 2010, kandidati i kësaj partie Rexhep Oruqi, i dha goditjen vendimtare kandidatit të PDK-së Xhelal Canziba, duke ia hequr një numër të konsiderueshëm votuesish në Rahovec. Madje, edhe si subjekt politik arriti të renditet si i treti dhe duke e rritur ndikimin në Kuvend. Mirëpo, përplasjet e mëpastajme bënë që numri më i madh i eksponentëve kryesor të partisë të braktisin radhët dhe të kalojnë në parti të tjera, kryesisht në PDK prej nga edhe kishin dalë si fraksion. Tashmë mund të thuhet se është subjekt politik në shuarje dhe se ka mbetur me vetëm një këshilltar në Kuvend. Duket që edhe hyrja në këtë parti ju kishte shërbyer disave si trampolinë politike. Ndonëse një kohë të shkurtër qe subjekt me fuqi politike (pesë këshilltarë), nuk arriti të jetë koherente dhe të ushtrojë ndikim në jetën ekonomike e sociale të komunës së Rahovecit. Qarkullojnë akuza se disa prej drejtuesve të kësaj partie ishin renditur aty të joshur nga ofertat marramendëse të liderit të partisë për vende pune dhe për akomodim në pozita të rëndësishme në Qeverinë e Kosovës. Duket se mospërmbushja e këtyre premtimeve ka qenë vendimtare për braktisjen e partisë nga pjesa dërmuese e anëtarëve dhe mbështetësve.

Lëvizja për Bashkim dhe roli i saj periferik

Këtij mozaiku politik në Rahovec i është bashkuar edhe Lëvizja për Bashkim, që në zgjedhjet e fundit lokale arriti të fitoj një vend në Kuvend. Roli periferik i këtij subjekti, që erdhi si rezultat i shuarjes së Lëvizjes për Integrim dhe Bashkim, është gati i pahetueshëm. LB nuk ka arritur të strukturohet si duhet dhe se është derivat i copëzimit gradual të LKÇK-së, ky subjekt e ka të zorshme që në të ardhmen të jetë subjekt me ndikim. Fakti se LB është në koalicion me PDK-në në nivelin qendror, ka bërë që eksponentët lokal të jenë të ndikuar dukshëm nga politikat lokale të PDK-së. Madje, në shumë raste krijohet bindja sikur ky koalicion vlen edhe për nivelin lokal. LB nuk ka ndonjë rol në vendimmarrjen lokale dhe se përbërja e koalicionit të “elefantëve” PDK-LDK, ka ndikuar që të mos ndjehet nevoja për bashkëpunim me këtë subjekt. Kjo situatë bën që LB të mos jetë as në pozitë e as në opozitë. Se a do të arrijë të mbijetojë në skenë mbetet të shihet, por aktualisht duket se askush nuk ia ka nevojën LB-së në Rahovec.

Opozita shurdhmemece (pjesa e shtatë, e fundit, vijon të hënën)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU