Lidhja Demokratike e Kosovës si paraprijëse e fatkeqësisë

0
1540

qemajl-krasniqi-2Shkruan: Qemajl Krasniqi

(Pjesa e dytë)

Që nga zgjedhjet e para lokale në vitin 2000 deri në vitin 2007, LDK ishte partia më e madhe dhe që i vuri bazat e qeverisjes lokale në Rahovec. Periudha e Qeverisë së Përkohshme Lokale, që mbikëqyrej rreptë nga administratorët e UNMIK-ut, mund të thuhet se nuk pati ndonjë ndikim në formësimin e asaj që do të pasonte. Ndonëse qe krijuar një bazë e mirë e bashkëpunimit dhe respektit reciprok partiak e individual por,  kjo bazë u rrënua sapo LDK i fitoi zgjedhjet me një diferencë të theksuar votash. Nga 31 këshilltarë komunal që ka Kuvendi i Komunës, 19 i përkisnin LDK-së.  Pra, një fuqi e tillë politike kërkonte njohuri dhe vëmendje të madhe për t’u administruar. Përkundër kësaj mundësie të artë, krerët lokal të LDK-së nuk arritën ta materializonin fuqinë dhe besimin, duke u përfshirë shumë shpejt në debate dhe luftë të brendshme për dominim e përfitime. Kjo amortizoi energjitë pozitive që mund të ketë pasur brenda vetes ky subjekt dhe pamundësoi ndërtimin e një administrate funksionale. Qeveria komunale u ndërtua mbi bazën e meritave politike dhe jo aftësive profesionale e menaxheriale. E drejtuar nga ekonomisti pragmatik Ibrahim Kryeziu dhe me kryetar të Kuvendit veteranin e politikës lokale Esad Haxhijaha, pati në përbërje njerëz me përgatitje të dyshimte profesionale dhe me dyshim të bazuar për falsifikim e abuzim me pushtetin e paranë publike. Raportet e shumta në medie për keqpërdorim të pushtetit dhe parasë, u shoqëruan edhe me raporte të Auditorit Gjeneral, ku qeverisja lokale akuzohej për mosrespektim të normave juridike dhe keqpërdorim të pushtetit. Pikërisht në këtë periudhë mori hov shkatërrimi dhe tjetërsimi i hapësirave publike, ndërtimet në tokat e punueshme, shkatërrimi i shtratit të Drinit të Bardhë dhe u vunë bazat e keqqeverisjes e korrupsionit. Disa qindra hektar u shkatërruan nga shfrytëzimi pa kontroll i zhavorrit në shtratin e lumit, gjë që nxiti edhe konflikte ndërmjet grupeve të interesit, duke shkaktuar edhe viktima në njerëz e hasmëri të mëdha. Reagimi i pushtetit lokal në atë kohë ishte i dobët, ndërsa shkatërrimet vazhduan për disa vite e po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Elita drejtuese e LDK-së nuk mori aspak në konsideratë interesin jetik të banorëve të kësaj komune, por u fokusua në konsolidimin e brendshëm politik, shpërblimin e fanatikëve të partisë, gjë që nxiti ambiciet karrieriste të individëve e të grupeve brenda vetë LDK-së.

LDK-në e rrëzoi përmasa e vetë dhe karrieristët ambicioz

Qeverisja e kësaj partie në Rahovec (2000-2007) i vuri bazat e sistemit partiak në administratë, arsim e shëndetësi, nepotizmit, lakmisë, korrupsionit dhe papërgjegjësisë institucionale. Ndonëse Shërbimi Policor i Kosovës, në atë kohë i kontrolluar nga Policia e KB (UN) pati nisur hetimet për keqpërdorime, abuzim dhe vjedhje të pasurisë publike, këto dosje asnjëherë nuk përfunduan në ndonjë gjykatë dhe kështu iu la dorë e lirë abuzimit sistematik të pushtetit nga liderët pasues.

Konflikti i brendshëm politik kulmoi me ndryshimin e elitës drejtuese të LDK-së, me ç’rast kryetari emblematik Ibrahim Kryeziu u hoq nga kreu, ndonëse gjatë dhe pas luftës arriti ta ruajë në masë të madhe strukturën politike të degës së partisë në kushte e rrethana të një persioni të madh politik, kërcënimeve të fshehura e të hapura të anëtarëve të LDK-së nga eksponentë të politikës së re në komunë. Kryesia e re (e vjetër) e drejtuar nga Nahit Elshani nuk qe në gjendje të përballet me sfidat e kohës dhe pushtetin ia mori Partia Demokratike e Kosovës. Qe kjo një goditje e rëndë për LDK-në, pas së cilës nuk po arrin të këndellet edhe sot e kësaj dite. Me rënien e Kryeziu, dega e humbi ekuilibrin dhe Elshani u dëshmua i pa aftë për të ndërtuar një opozitë sfiduese e konkurrente. Rënia e lirë e LDK-së vazhdoi për disa vite, ndërsa kjo parti humbi fuqinë duke rënë në vendin e tretë në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2013. E ballafaquar me humbje të vazhdueshme të besimit në opinion, LDK u përpoq që përmes katapultimit të Avdullah Hotit, nga nënkryetar i Komunës së Prishtinës në kryetar të degës së partisë në Rahovec, të ringrihet. Duket se e kaluara jo fort e lavdishme në qeverisjen e kaluar komunale, konfliktet e brendshme dhe përballja me rival të fortë politik (PDK dhe AAK), po vazhdojnë të kenë ndikim në dobësimin e kësaj partie. Ndonëse mbetet në qeverisjen lokale në partneritet me partinë fituese PDK-në, LDK më shumë i ngjan një organizmi gati të vdekur ku luftojnë për mbijetesë individë të caktuar, të cilët pak brengosen për qytetarin e Rahovecit. Aktualisht në hierarkinë qeverisëse janë kacavjerrë disa figura seniore të partisë, ndërsa ndërtimi i një elite të re, me mendësi moderne, tingëllon vetëm si slogan fushate.

Kryetari aktual i degës, Avdullah Hoti konsiderohet “i dërguari special” i kryetarit të LDK-së ish komunistit Isa Mustafa, i cili ka marrë “detyrën” që të eliminojë rivalët e brendshëm dhe çdo pikëpamje që bie ndesh me qeverisjen qendrore të partisë?

Se a do të sjellë rezultate kjo formë e drejtimit të partisë mbetet të shihet në zgjedhjet e ardhshme lokale (2017) apo të zgjedhjeve të parakohshme qendrore eventuale. Mirëpo, dëmet që po i shkaktohen ekonomisë vendore janë sistematike, sepse dega e LDK-së konsiderohet parti pa vizion dhe influenca e saj sa vjen e bie në opinion.

Partia Demokratike e Kosovës parti e premtimeve të mëdha dhe e fateve të rrënuara (pjesa e tretë vijon nesër)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU