Mbahet seanca rreth vrasjes në Ratkoc

3322

Feriz Hoti është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e Hamdi Isufit dhe për armëmbajtje pa leje.

Në Gjykatën në Gjakovë sot Feriz Hoti u deklarua i pafajshëm për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria pretendon se Hoti këto vepra i ka kryer natën e 17 majit të këtij viti, kur qëlloi drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti pasi dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Isufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin ta thyenin derën e marketit “Rama F” për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kërkon të ndalen, duke i sharë e më pas kur ata vazhdojnë të ikin, ai fillon të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Isufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndierin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes,…” thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Seanca e radhës e këtij gjykimi u caktua më 9 janar 2018.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here