Nxehet situata LDK-VV, Korenica e Kryeziu i reagojnë njëri-tjetrit

3095

Është nxehur situata mes LDK-së dhe Vetëvendosjes në Rahovec.

Fillimisht, ishte kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, i cili me anë të një posimi në Facebook, tha se “LDK e PDK janë paterica të njëra tjetrës”.

“LDK dhe PDK, paterica të njëra-tjetrës, jo vetëm në Prishtinë.

Ky fenomen vërehet qartë edhe nga debati i fundit për Rahovecin në Klan Kosova dhe nga sjellja në terren, ku shihet një bashkëpunim i shtuar mes këtyre dy subjekteve edhe pse s’kanë koalicion në nivel qendror.

Kjo u vërejt edhe në mbledhjen e kuvendit komunal në Prishtinë, ku ata ndaluan procedimin e rregulloreve të qeverisjes së Shpend Ahmetit. Fitorja e Lëvizjes më 22 tetor po afron, #MeMendje e #MeZemër do të largohen nga skena politike ata që mashtruan qytetarët tash e 17 vjet. Ju ftoj të gjithëve t’u japim fund koalicioneve të fshehta, jo-formale dhe jo-lojale”, ka shkruar Korenica.

Pak më vonë, Ibrahim Kryeziu, me anë të një reagimi të degës, e ka quajtur të dështuar performancën e Korenicës në debat të Klan Kosovës.

“Dega e Lidhjes Demokratike e Kosovës në Rahovec reagon pas deklaratave të kandidatit të Vetëvendosjes, Visar Korenica, i cili ka akuzuar z. Ibrahim Kryeziun që ka marrëveshje koalicioni me PDK-në.

Theksojmë se z. Ibrahim Kryeziu asnjëherë nuk ishte pjesë e ndonjë koaliconi me PDK-në.

Këtë reagim të kandidatit të Vetëvendosjes e shohim si tendencë që pas dështimit të tij në debatin e realizuar në Klan Kosova tenton të faktorizohet përmes fjalëve boshe.

Kandidati ynë, z. Ibrahim Kryeziu, prezantoi plan konkret për zgjidhjet e problemeve në të gjithë komunën tonë, ndryshe nga z. Korenica i cili nuk kishte informata për problemet që e kanë kapluar komunën e Rahovecit si dhe nuk kishte asnjë plan konkret për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Gjithashtu, theksojmë se kandidati ynë është ekpsert i pushtetit lokal dhe zhvillimit ekonomik lokal.

Qytetarët duan plan konkret, dhe jo retorik boshe”, ka shkruar Kryeziu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here