Partia Demokratike e Kosovës, parti e premtimeve të mëdha dhe e fateve të rrënuara

0
1593

qemajl-krasniqi-2Shkruan: Qemajl Krasniqi

(Pjesa e tretë)

Ardhja në pushtet e PDK-së në fillim të vitit 2008 u prit me eufori dhe me shpresë të madhe. Pritjet ishin të mëdha. Kjo parti nuk e pati në vëmendje përmbajtjen e qeverisjes, aq sa u përkushtua në vetë marrjen e pushtetit, si synim final i partisë politike. Qeverisja pa një platformë të qartë dhe pa ndonjë analizë paraprake, si duket shpejt shkaktoi zhgënjim. Drejtimi i Komunës nga një ish kuadër komunist, Qazim Qeska, si duket nuk ishte kompatibile me kërkesat e reja që nxirrte sistemi demokratik. Struktura heterogjene e degës së PDK-së shpejt nxori  në shesh mospajtimet e thella konceptuale, pasi që në këtë strukturë u gjetën ish komunistë, “shqiptarë të ndershëm”, ish të burgosur politik, ish ushtarakë të UÇK-së dhe kuadër pa ndonjë profil politik deri në atë kohë, gjysmë analfabetë, analfabetë dhe njerëz arrogantë e “patriotë” prepotent.

Që në dy vitet e para të qeverisjes së PDK-së u panë dështimet. Mospërmbushja e pritjeve dhe ambiciet politike e materiale të disa eksponentëve të rëndësishëm, disa të lidhur me strukturat e SHIK-ut, nxorën në pah ndasitë e thella në vetë strukturën drejtuese të PDK-së. Për pasojë, kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës Qeska, pothuajse dhunshëm u rikandidua në zgjedhjet e nëntorit 2009. Ndonëse fitoi edhe kësaj radhe, me mund të madh dhe nën dyshimin për keqpërdorim dhe vjedhje masive të votave karshi kandidatit të LDK-së Ibrahim Kryeziu, Qeska nuk arriti ta mbajë pushtetin më shumë se 18 muaj. Me arsyetimin se ka probleme shëndetësore, dha dorëheqje. Edhe pse kryetari i partisë dhe kryeministri i vendit në atë kohë Hashim Thaçi u përpoq ta rikthente në pushtet pas gjashtë muajsh në dorëheqje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se dorëheqja e tij është e pakthyeshme.

Zhgënjimi me PDK-në ishte i madh dhe pritjet e qytetarëve për një qeverisje më të mirë nuk u realizuan. Drejtuesit lokal të PDK-së kishin shpresuar në një mbështetje më të madhe nga qendra. Kapja e pushtetit, punësimet pa kriter dhe pa konkurs, punësimet vetëm me referenca të lëshuara nga dega e PDK-së, u bënë dukuri e zakonshme. Përshtatja e konkurseve eliminonte nga konkurrenca ata që pretendonin për një vend pune, si dhe forma të tjera të eliminimit të kandidatëve të padëshiruar, u bënë model qeverisjeje. Gjithçka u shndërrua në një ndërmarrje të madhe partiake, edhe pse PDK ishte në partneritet me LiB-in dhe PD-në, pretendimet e partnerëve asnjëherë nuk u morën në konsideratë. PDK u shndërrua në parti të fateve të rrënuara të njerëzve të zakonshëm dhe pa fuqi ndikuese.

Pushteti u koncentrua në duart e 2-3 personave, kurse çarjet ndërmjet elitës së degës së PDK-së sa vinin e thelloheshin. Pushteti u stërkeq për një kohë shumë të shkurtër. Qytetarët e humbën besimin në këta liderë dhe kjo u pa qartë në humbjen e turpshme të PDK-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës, pas dorëheqjes së Qazim Qeskës, pasi që kandidati Xhelal Canziba u mund, jo vetëm nga rivalët politik, por edhe nga partia e tij.

Këto zhvillime e sollën në krye të komunës kandidatin e AAK-së Smajl Latifi,  i cili vinte nga një përvojë politike në drejtimin e LKÇK-së, respektivisht LIB-it. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në dhjetor të vitit 2010 nxorën fitues Smajl Latifin, i cili në balotazh siguroi mbështetjen e PDK-së së shpartalluar dhe të pashpresë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – partia pa profil politik (Pjesa e katër vijon të hënën)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU