Rahovecin e pret një garë e ngushtë për kryetar komune

171

Komuna e Rahovecit, historikisht, por sidomos në vitet e fundit, ka qenë një nga komunat me garën më të ngushtë të zgjedhjeve lokale në gjithë Kosovën.

E ky fakt nuk do pritet të ndryshojë as këto zgjedhje, që në fakt, pritet të jenë nga më interesantet dhe të paparashikueshmet në historinë e komunës sonë.

Kryetari aktual, njëkohësisht kandidat nga radhët e PDK-së, Idriz Vehapi, e fillon garën nga posti i kryetarit dhe rrjedhimisht është një favorit i lehtë, duke ditur buxhetin dhe projektet që i ka në dorë. Por, pasiviteti i tij dhe sidomos mungesa e energjisë, mosprezenca e panevojshme në vendin e tij të punës në raste të caktuara, pritet t’i kushtojë shumë dhe t’ia rrezikojë seriozisht garën.

Nga radhët e AAK-së është ish-kryetari i komunës, Smajl Latifi. Latifi llogaritet si një nga sfiduesit më seriozë të Idriz Vehapit, me punën e bërë në të kaluarën si dhe me rritjen e popullaritet të tij. Këtë më së miri e tregon edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit nacionale, ku në listën e PAN-it ai ishte më i votuari në Rahovec, duke fituar më shumë vota se liderët e partive, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj.

Edhe LDK është parti me bazë të fortë në Rahovec dhe me një kandidat që është dëshmuar se ka përkrahje, Ibrahim Kryeziu. Megjithatë,  besohet se LDK do të preferonte kandidatë tjerë para tij, por se një të tillë nuk arriti ta sigurojë. Avantazh i Kryeziut mund të jetë nënvlerësimi që po i bëjnë nga starti rivalët, duke i lënë hapësirë që të fitojë teren me neglizhencën e tyre.

Në fund, është Lëvizja Vetëvendosje ajo që pritet ta bëjë garën më interesante. Kjo, duke marr parasysh shumë faktorë – është partia me bazën më të madhe të rritjes në Kosovë, është e vetmja nga partitë që ka kandidat nga qyteti si dhe kandidatura e Visar Korenicës tregon se Vetëvendosje ka lexuar elektoratin, duke vënë një individ relativisht të ri në garë, ajo që edhe po kërkohet gjithandej në Kosovë. Tradicionalisht, VV ishte inferiore në Rahovec, por këta faktorë do ta bëjnë, nëse jo të barabartë, shumë të afërt me partitë tjera.

Pavarësisht se kush do ta fitojë garën, ashtu siç ka ndodhur në disa palë zgjedhje, është e sigurt se do të kemi balotazh dhe se pastaj, pavarësisht koalicioneve, do të fitojë kandidati që do të bind më së shumti me fushatën dhe programin e tij.

Zgjedhjet lokale mbahen më 22 tetor, kurse fushata fillon 1 muaj më herët, më 22 shtator.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here