Rikthimi i mundimshëm dhe pa lavdi i PDK-së

0
3199

qemajl-krasniqi-2Shkruan: Qemajl Krasniqi

(Pjesa e pestë)

Dukej se mënyra se si qeverisi Latifi dhe injorimi që i bëri partnerit pas fitores, inatosi keq PDK-në e Hashim Thaçit, të cilët nuk lanë mjet e metodë pa përdorur për t’u rikthyer në pushtet. Premtimet megalomane, joshja dhe shantazhi, ofertat për punësim dhe ndarja e granteve e subvencioneve për bujqësi, ndikuan që një masë e konsiderueshme njerëzish ta mbështesin kandidatin e PDK-së, Idriz Vehapi. Vehapi, që vinte nga një përvojë politike si ish-ministër i bujqësisë dhe deputet, nuk pati shumë nevojë të angazhohet në sigurimin e votave, pasi që këtë e bëri shefi i tij Hashim Thaçi, i mbështetur nga një arsenal i madh shtetëror që u vu në dispozicion të fushatës. Pra, lufta politike nuk ishte ndërmjet Latifit dhe Vehapit, por Latifit dhe Thaçit. Ky i fundit ju premtoi rahovecasve investime të mëdha dhe grante e subvencione deri në 60 milion euro. Me këto premtime ish shefi i Ekzekutivit të vendit arriti t’ia shkëpusë disa mbështetës të fuqishëm Latifit, duke i joshur me grante qeveritare, investime në kapacitete përpunuese, si dhe duke filluar shpërndarjen e subvencioneve për bujqit e vreshtarët tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Këto lëvizje patën ndikim në vendimin e qytetarëve për kandidatin dhe partinë që do të votonin. Për të rritur fuqinë ndikuese tek qytetarët ish kryeministri Thaçi kërkoi mbështetjen edhe të krerëve fetar në komunë, duke ia hequr kështu nga duart edhe një atu rivalit politik AAK-së, që deri në atë kohë gëzonte mbështetje të madhe tek disa përfaqësues të sekteve fetare në Rahovec. Edhe LDK u mundua të përfitojë nga ndikimi i prijësve fetar, sidomos i shehlerëve, por pa sukses. Madje edhe vetë kreu i LDK-së Isa Mustafa tentoi të depërtojë, por nuk ia arriti.

Idriz Vehapi, politikani që nuk di ç’është deontologjia në politikë

Gjatë fushatës zgjedhore mediale, kandidati i PDK-së, Idriz Vehapi me metoda cinike dhe të padenja për nivelin e tij akademik, rivalizoi ashpër me Latifin. Pra, fokusi i tij ishte diskreditimi i kundër kandidatit në baza personale dhe jo mbi ndonjë platformë apo plan qeverisës. U krijua përshtypja sikur ai nuk dëshironte të fitonte, ngase përfitimet e tij kishin qenë më të mëdha si deputet dhe profesor universitar, ndërsa të qenit në krye të një komune të vogël e të varfër nuk konsiderohej si ndonjë privilegj politik. Gjithsesi, Vehapi i fitoi zgjedhjet dhe ia mori AAK-së nga krahët partnerin e koalicionit parazgjedhor LDK-në. Koalicioni mund të konsiderohet si lidhje e individëve me interesa personale, pasi që shantazhi dhe presioni i LDK-së për zgjerim të përbërjes qeveritare, ndarja e vendeve të punës dhe kushtëzimi me avancimin e njerëzve të LDK-së, duket të jenë motivet kryesore të këtij koalicioni. Statuti i Komunës u ndryshua në përputhje me marrëveshjen politike dhe u krijuan sektorë të panevojshëm vetëm për të përmbushur ambiciet e njerëzve të LDK-së.
Ndonëse Vehapi vazhdimisht akuzonte paraardhësin e tij se e kishte futur Komunën në obligime, rritja e shpenzimeve komunale nuk u pa se mund të ndikonte negativisht në këtë buxhet të mangët të Komunës. Për të qenë ironia edhe më e madhe, krerët e të dy partive tani në pushtet, në vitin 2013 refuzuan ta votojnë buxhetin komunal, duke mos dhënë arsye të qëndrueshme dhe duke synuar të ndikojnë në uljen e besueshmërisë në opinion të ish-kryetarit Smajl Latifi. Si pasojë e mosvotimit të buxhetit komuna e Rahovecit humbi mbi 600 mijë euro që është dashur t’i takonin në bazë të parashikimit. Kjo do të ketë kosto të lartë për buxhetin e varfër të Rahovecit.

Për të arritur ambiciet e veta politike dhe për të siguruar mbështetje sa më të gjerë e të qëndrueshme, Idriz Vehapi nuk hezitoi të shkelë mbi historinë dhe të kaluarën e lavdishme të kombit shqiptar. Ai synoi rishkrimin e historisë kombëtare, duke zëvendësuar vlera të paçmueshme kombëtare me vlerat e reja të krijuara rishtas. Mbase, mbijetesa politike dhe sigurimi i mbështetjes konstante nga grupe e individë të caktuar, bënë që Vehapi të mos dijë ç’është deontologjia në politikë (shkenca mbi moralitetin). Dhe historia na ka mësuar se mosrespektimi i të lavdishmes do të përfundojë pa lavdi.

Mashtrimet publike të Idriz Vehapit

Ndonëse Vehapi kishte fituar pikë me akuzat për futje në obligime pa mbulesë nga ana e Latifit, ecuria nuk duket të jetë ndryshe as tani. Auditori Gjeneral në dy raportet e fiteve të fundit ka hasur në mjaft shkelje, madje disa me elemente të veprës penale nga ana e Vehapit. Favorizimi i individëve dhe grupeve të interesit të cilët e kishin mbështetur në zgjedhje, mori legjitimitet në Kuvendin e Komunës, që dominohet me mbi 2/3 e këshilltarëve të koalicionit. Falja e borxheve të mëdha disa kompanive të afërta me PDK-në, favorizimi në dhënien në shfrytëzim të pasurisë komunale, pabarazia në prokurim, dhënia e projekteve anëtarëve të kuvendit anëtarë të partisë në pushtet, si dhe një mori presionesh e shantazhesh ndaj rivalëve politik, janë disa nga karakteristikat e kësaj qeverisjeje.
Punësimi i militantëve partiak tashmë është bërë normë për qeverinë Vehapi dhe njerëzit paraprakisht e dinë se kush ku do të punësohet. Nga kjo qasje kanë përfituar sidomos anëtarët e Kuvendit, të cilët i kanë “rehatuar” familjarët, fëmijët e tyre, miqtë e të afërmit. Lista e të punësuarve është e gjatë dhe dihet botërisht. Po ashtu edhe numri i të punësuarve “për shërbime të veçanta”, është shumë i madh dhe përtej mundësive reale të Komunës. Auditori Gjeneral ka vërejtur se në të shumtën e rasteve punësimet e këtilla kanë qenë të panevojshme dhe pa ndonjë arsyetim të bazuar, ndërsa tejkalimi i kohës së punësimit ka elemente edhe të veprës penale. Por, duket se Vehapi nuk brengoset për këto vërejtje, ngase arsyeton se veprime të tilla janë bërë edhe në të kaluarën dhe askush nuk ka pasur asnjë pasojë.

Një nga mashtrimet publike të Idriz Vehapit është edhe deklarimi i tij në një medium publik se, jeton në Zatriq dhe nuk e ka ndërmend ta ndërrojë vendbanimin. Mirëpo, të gjithë në Rahovec e kanë ditur se ai kishte kohë që ishte shpërngulur në Prishtinë me familjen e tij, ndërsa disa familjarë të tjerë ishin shpërngulur në Prizren. Duke udhëtuar çdo ditë Prishtinë-Rahovec-Prishtinë, Vehapi po i shkakton shpenzime të konsiderueshme buxhetit komunal. Madje një kohë të gjatë ka udhëtuar me veturë pa targa zyrtare, mbase duke synuar kështu të kamuflojë të vërtetën e udhëtimit të tij. Por, këto dukuri nuk i ka vërejtur asnjëherë opozita në Rahovec.

Lëvizja Vetëvendosje!  ose subjekti i shpërfytyruar opozitar (pjesa e gjashtë vijon të shtunën)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU